Add to Book Shelf
Flag as Inappropriate
Email this Book

Tej Euforise

By Elezi, Gani

Click here to view

Book Id: WPLBN0100302048
Format Type: PDF eBook:
File Size: 1.33 MB
Reproduction Date: 9/2/2019

Title: Tej Euforise  
Author: Elezi, Gani
Volume:
Language: Albanian
Subject: Non Fiction, Military Science
Collections: History, Authors Community
Historic
Publication Date:
2019
Publisher: GEER
Member Page: Gani Elezi

Citation

APA MLA Chicago

Elezi, B. G. (2019). Tej Euforise. Retrieved from http://gutenberg.cc/


Description
Problemet ushtarake lindin dhe zhvillohen bashkë me problemet e tjera shqetësuese të shoqërisë, të çdo vendi në veçanti, e natyrisht kërkojnë zgjidhjen e duhur. Si në çdo fushë, edhe në atë të mbrojtjes (të luftës) veprojnë faktorë, që duhet të njihen dhe të vlerësohen objektivisht. Qëndrimi i drejtë apo subjektiv ndaj tyre, vlerësimi ose shpërfillja e këtyre faktorëve, ka të bëjë me suksesin ose disfatën në një luftë të mundshme. Kësisoj, një mendësi e tillë për problemet e mbrojtjes dhe të luftës duhet të merret parasysh dhe të bëhet ç`është e mundur për ta shmangur atë sa më shpejt. Në rast të kundërt, një situatë e tillë do të ishte e mbarsur me pasoja të rënda për fatet e vendit. Historia e mjaft popujve, kombeve ka treguar, se në pozitat e një pacifizmi të pakufi, të një qëndrimi nënvleftësues ndaj rreziqeve të një lufte të mundshme dhe masave për ta përballur atë, janë bërë gabime të pafalshme dhe me pasoja të pandreqshme për ta. Nuk janë të pakët popujt dhe kombet që, për arsye të qëndrimeve të këtilla, gjatë historisë së tyre, sot nuk ekzistojnë më, janë asimiluar ose janë fshirë nga hartat politike nga më të fuqishmit dhe më të vendosurit në çështjet e konflikteve ushtarake. Përpjekjet për të garantuar paqen dhe pacifizmi nuk janë e njëjta gjë. Në përpjekjet për të garantuar paqen kontribuojnë shumë aktorë, shumë palë, madje kundërshtarë mes tyre. Ndërsa pacifizmi është shfaqje e njëanëshme, një dëshirë e mirë, qoftë vetëm e njërës palë. Në një fjalë të urtë,e përdorur nga shumë popuj, thuhet se ”njeriu paqësor është dikush që ushqen një krokodil me shpresen se ai do ta hajë atë të fundit”. Për fat, popullit tonë nuk i ka ndodhur një gjë e tillë dhe ka arritur të mbijetojë jo se e kanë mëshiruar apo e kanë mbrojtur të tjerët, por sepse, vetë ai, çështjen e mbrojtjes së lirisë, të pavarësisë dhe të përparimit e ka vlerësuar si jetike për fatet e tij. Kjo duhet të ndodhë edhe në të ardhmen. Nga sa kam shkruar më lart arrij në përfundimin se aktualisht, sa për arsye objektive aq edhe për arsye subjektive, politika jonë e mbrojtjes dhe strategjia ushtarake janë në një udhëkryq të madh, janë, si të thuash, para dilemave, që po nuk u zgjidhën me seriozitet tani, mund të jenë me pasoja të rënda për fatet e vendit dhe të kombit tonë në të ardhmen. Në këto shënime jam përpjekur të hedh disa ide se si mund të tejkalohen dilema të tilla, se si mund të zgjidhen ato në kuadrin e mendimit ushtarak.

Summary
Pas rënies së sistemit socialist në Evropën Lindore, pas shembjes së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së bllokut ushtarak të Traktatit të Varshavës, u quajt e kapërcyer periudha e Luftës së Ftohtë dhe e ballafaqimit të egër midis dy sistemeve, midis Lindjes dhe Perëndimit, midis dy blloqeve përkatëse, NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Tani ne jetojmë në kohën e zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike, politike dhe ushtarake midis vendeve të ish-blloqeve armiqësore. Kjo etapë është karakterizuar dhe synohet të transformohet në një periudhë të “integrimit ndëreuropian dhe më gjerë, euroatlantik”, objektiv që e synojnë të gjithë vendet ish-socialiste. Ky proces ngërthen në vetvete jo vetëm objektiva ekonomike, politike dhe shkencore, por edhe ushtarake. Në kushtet e pranimit (të anëtarësimit) dhe të bashkëveprimit me strukturat e përbashkëta botërore e rajonale, siç është NATO, OKB-ja dhe institucionet e varurar prej saj, OSBE dhe strukturat e veçanta të saj, strukturat politike, ekonomike dhe ushtarake të Europës, apo edhe me struktura më të veçanta, si Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore, bashkimi i vendeve të detit të Zi apo të pellgut të Mesdheut etj, është shtensionuar situata politike, veçanërisht në aspektin e ballafaqimit ushtarak. Është rritur shumë mundësia e zgjidhjes së konflikteve me rrugë diplomatike dhe paqësore. Pra, në këtë mënyrë është zvogëluar dhe vazhdon të zvogëlohet pa ndërprerje roli dhe hapësira e faktorit të forcës ushtarake në zgjidhjen e konflikteve midis shteteve. Të flasësh në këto kushte për luftë, të bësh llogari për nevojat e mbrojtjes sonë, të merresh konkretisht me masat e organizimit dhe të përgatitjes së forcave të armatosura dhe të shtetit për një luftë të mundshme, sidomos kur këto mendime dhe sugjerime bien ndesh me platformat e sotme qeveritare, do të dukej si shpoti, si të ishe kundër rrjedhës së përgjithshme të zhvillimit të situatave politike në botë. Sot është e vështirë të formulosh ose të paraqesësh ide dhe propozime konkrete në këtë fushë. Asnjë institucion shqiptar, politik apo shtetëror, asnjë politikan apo shtetar, nuk është i prirur ta analizojë në thellësi këtë problem. Në sesione dhe në konferenca të ndryshme, kombëtare e ndërkombëtare, të gjithë flasin për modernizimin e ushtrisë, për rritjen e kapaciteteve operacionale të saj, për pjesëmarrjen e kontigjenteve tona në operacionet paqeruajtëse, për anëtarësimin në NATO, etj. Por, asnjëherë, nuk gjen në këto deklarime, ide dhe masa konkrete për të bërë të mundur që ushtria jonë të jetë në gjendje të realizoje me sukses misionin e saj themelor, kushtetues, ruajtjen e tërësise tokësore, të lirisë së vendit tonë, në rast të një lufte të armatosur kundër nesh. Edhe kur e shtron këtë problem në biseda personale, në grupe të ngushta, politikanët dhe shtetarët tanë të rinj, duke marrë poza strategësh, që mendojnë seriozisht për problemet e mbrojtjes, të thonë se nuk kanë më vlerë skemat klasike të mbrojtjes, skemat e planifikuara në vitet e mëparshme. Tani gjithçka, sipas tyre, do të realizohet në kuadrin e sigurisë globale. Madje këtë gjë e thonë me një ndjenjë kaq shpërfillëse sikur të kishin përpara njerëz që vijnë nga një planet tjetër, që nuk e njohin situatën e sotme ndërkombëtare dhe perspektivën e zhvillimit të saj. Pra ka një eufori të shfrenuar, që gjithçka e sheh në një ekstazë sigurie dhe komoditeti, të pacënueshëm nga asnjë rrezik, nga asnjë konflikt politik dhe ushtarak, që objektivisht nuk mund të përjashtohet asnjëherë. Kjo eufori në trajtimin e problemeve të sigurisë e të mbrojtjes së ven Përgatitja për mbrojtje është detyrë, në radhë të parë, e ushtarakëve. Ata, përtej kësaj euforie, mbase edhe të pranueshme, duhet të “nuhasin” rrezikun e luftës edhe kur të tjerët nuk e shohin ose shtiren sikur nuk e shohin, të përgatisin vendin dhe popullin për ta përballuar atë, në rast se kjo ndodh me të vërtetë, edhe përkundër qëndrimit kundërshtues të opinionit publik.

Excerpt
ARTI USHTARAK I LUFTËS POPULLORE Në kuadrin e punës që u bë për të eliminuar pasojat e grupit armiqësor në ushtri, masa më e rëndësishme ishte hartimi i tekstit të Artit Ushtarak të Luftës Popullore, i cili u botua dhe u dha në përdorim të ushtrisë në vitin 1975. Ky është dokumenti më i rëndësishëm dhe më me vlerë i hartuar ndonjëherë në vendin tonë në fushën e mendimit ushtarak, në fushën e organizimit, përgatitjes dhe drejtimit të veprimeve luftarake, në shkallën taktike, operative dhe operativo-strategjike. Në vitin 1984, pas goditjes së Mehmet Shehut, i cili u dënua si “pjesëtar dhe organizues” i grupit puçist të vitit 1974 në ushtri, ky tekst iu nënshtrua një ripunimi të plotë. Ripunimi u bë, në fakt, për të përjashtuar sa të ishte e mundur ndikimin e tij në formulimin e Artit Ushtarak Shqiptar dhe në të gjithë përvojën e ushtrisë sonë. Kjo ishte një praktikë e përherëshme e PPSH, e cila pas çdo goditje të elementëve “kundërshtarë” përdorte të gjitha rrugët për të shlyer nga kujtesa e njerëzve aktivitetin dhe kontributin e “armiqve”, tashmë të dënuar edhe juridikisht. Megjithëkëtë edhe Arti Ushtarak i vitit 1984, në thelb, është pothuajse i njëjtë me atë të botuar në vitin 1975 me disa redaktime dhe përmirësime në strukturë dhe me shtjellime më të gjera të disa kapitujve kryesorë, që nuk ndryshojnë përmbajtjen e njëri-tjetrit. Për këtë arsye në këto shënime më shumë i jam referuar tekstit të vitit 1984, meqenëse e kam pasur për një kohë më të gjatë në përdorim, duke vënë në dukje ndonjë ndryshim që ia vlen të përmendet. Kushtet në të cilat u punua për formulimin e Artit Ushtarak, ndikuan në përmbajtjen e tij. Sapo ishte dënuar grupi i drejtuesve kryesorë të ushtrisë për kundërvënie ndaj Tezave të Këshillit të Mbrojtjes. Kështu, kontrolli nga lart, përpjekja për të pasqyruar sa më drejtë kërkesat e këtyre tezave, veçanërisht vetcensura ndikuan shumë në formulimin e kërkesave të tij duke e ngarkuar atë me shumë parime politike dhe ideologjike. Megjithëkëtë, Arti Ushtarak i Luftës Popullore (AULP), siç është quajtur ky tekst, gjykuar në kushtet e periudhës gjatë së cilës ai u vu në bazë të sistemit tonë të mbrojtjes, ka pasur vlera të veçanta në fushën e Mendimit Ushtarak Shqiptar, veçanërisht si udhërrëfyes për planëzimin dhe realizimin e masave në interes të fuqizimit të mëtejshëm të mbrojtjes së vendit tonë. Vlerat e tij spikasin si në parimet teorike, që ai përcaktonte si të domosdoshme për fuqizimin e mbrojtjes së vendit, ashtu edhe në masat praktike që rekomandonte për këtë qëllim. Në tekstin e Artit Ushtarak përcaktohej objekti i tij, që ishte “... ndërtimi, përgatitja dhe drejtimi i gjithanshëm i FA për të bërë që ato të jenë në gjendje, në çdo kohë e në çdo rrethanë, të ndeshen në fushën e luftës dhe të korrin fitoren përfundimtare mbi çdo agresor apo koalicion agresorësh, që do të guxonin të preknin kufijtë e Atdheut tonë”. Pasi përcaktonte objektivin e vet për të marrë përsipër organizimin deri në fitoren përfundimtare të Luftës Popullore, në tekstin e Artit Ushtarak theksohej karakteri dhe përmbajtja e kësaj lufte. Sipas Artit Ushtarak, Lufta Popullore (LP) do të jetë “.... luftë e popullit të armatosur dhe e ushtrisë së tij popullore për mbrojtjen e atdheut dhe të fitoreve të socializmit”, do të jetë gjithashtu “... një luftë e drejtë, që do të organizohet dhe zhvillohet duke u mbështetur tërësisht në forcat e veta, me pjesëmarrjen e gjerë dhe aktive të të gjithë popullit të armatosur”.

 
 



Copyright © World Library Foundation. All rights reserved. eBooks from Project Gutenberg are sponsored by the World Library Foundation,
a 501c(4) Member's Support Non-Profit Organization, and is NOT affiliated with any governmental agency or department.